E konfirmojnë edhe nga Kuvendi: Nesër mbahet seanca për votimin e Qeverisë Hoti

Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka konfirmuar se nesër më 3 qershor, mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës ku pritet të votohet Qeveria në krye me Avdullah Hotin, shkruan Gazeta Metro.

Përmes një njoftimi për media, thueht se seanca pritet të fillojë nga ora 11:00.

“Me kërkesë të 61 deputetëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mblidhet nesër në orën 11:00 në seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës’, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.

Ndryshe, seanca u procedua me konsensus të të gjitha partive.

Kjo vjen pasi dje shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi dorëzoi kërkesën më 61 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme.

Ndër të tjera ai deklaroi se i kanë rreth 65 vota për ta krijuar Qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin e plotë për dekretin e presidentit për mandatarin, që i dha dritën e gjelbër formimit të Qeverisë së re.