E kalojnë në lexim të parë, Haxhiu, Kurti e VV shpërfillin brutalisht Venecian për Byronë

Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të enjten e kanë shtyrë përpara në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për krijimin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ky draft është votuar në lexim të parë pa kurrfarë ndryshimi dhe duke shpërfillur totalisht vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias.

Si rezultat, Glauk Konjufca, Dorasa Kica-Xhelili dhe Haki Abazi s’kanë dhënë votën e tyre “për”, teksa kanë ngritur shqetësimet e tyre për projektligjin në fjalë.

Pas kalimit në lexim të parë, reagimet kanë qenë të menjëhershme nga sponzorizuesja e këtij Projektligji, ministrja Albulena Haxhiu, e cila u pa duke festuar me dy deputetë të partisë së saj. Derisa ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

Shefi i Qeverisë në reagimin e tij, ka përmendur njërën prej pikave kryesore për të cilën Komisioni i Venecias ka dhënë vërejtje dhe ka bërë thirrje që të modifikohet dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për konfiskimin civil të pasurisë pa një vendim të Gjykatës.

“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot”, ka shkruar Kurti në reagimin e tij në ‘facebook’.

Lidhur me çështjen e konfiskimit civil pa bazë dënimi, Komisioni i Venecias ka bërë thirrje që procedurat për një gjë të tillë të hartohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke marrë parasysh standardet evropiane që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

 “Një qasje e tillë mund të jetë një mjet i vlefshëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të parandaluar shfrytëzimin e fondeve të fituara në mënyrë të paligjshme dhe për të parandaluar përdorimin e fondeve të tilla për veprimtari të mëtejshme kriminale. Në kontekstin e Kosovës, një masë e tillë mund të jetë e rëndësishme për sigurimin e bazës për zhvillimin ekonomik në vend. Në të njëjtën kohë, Komisioni i Venecias rikujton megjithatë se, pavarësisht nga qëllimi i tyre i justifikuar, procedurat e konfiskimit civil pa bazë dënimi duhet të hartohen dhe zbatohen në përputhje me Kushtetutën kombëtare, e cila përfshin zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe duke marrë parasysh standardet evropiane në lidhje me sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Gjithashtu Komisioni i Venecias ka kërkuar që të ofrohen garanci të kompensimit të dëmeve të pësuara në rast të një procedure konfiskimi përfundimisht të pasuksesshme.

Se Projektligji është problematik e kanë thënë dje në Kuvendin e Kosovës edhe partitë opozitare. Driton Selmanaj madje ka thënë se nëse procedohet si i tillë nëpër Komisionet relevante do të jetë e pamundur që të rregullohet në përputhje me rekomandimet e Venecias, meqë ato rekomandime e godasin komplet idenë.

Sipas Selmanajt një prej rrugëve ideale do të ishte që Qeveria ta tërhiqte plotësisht projektligjin dhe të bëhej një konsensus mes partishë politike për krijimin e një modaliteti të ri për krijimin e një Byroje të tillë.

Dje për Projektligjet që kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog. Megjithatë diplomati evropian s’e ka përmendur fare që ka kaluar në lexim të parë projektligji për Byronë./GazetaExpress/