“E ka humbur mbështetjen e komunitetit”, Sveçla thotë se kjo është arsyeja pse Lista Srpska s’është për zgjedhje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit sepse e njëjta e ka humbur mbështetjen nga komuniteti serb atje.

Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bie në shantazh të atyre të cilët sipas tij ndjehen të rrezikuar nga sundimi i ligjit.

Derisa ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

Ministri i Brendshëm ka deklaruar po ashtu se Policia e Kosovës por edhe gjithë MPB është në  dispozicion të KQZ-së në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm.

“Pse një Listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit nga mungesa e humbja e përkrahjes nga dora e zgjatur e ligjit ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk duhet të presim që Lista Serbe të na thotë se a duhet të mbajmë zgjedhjet apo jo apo do ta bojkotojë apo jo. Një prej arsyeve që ata nuk janë për zgjedhje është për shkak se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen”, ka thënë Sveçla./KP/