E hëna është shënuar me një bilanc të rëndë aksidentesh në Shqipëri, ku brenda pak orësh janë regjistruar shtatë aksidente rrugore, me pasojë dy viktima dhe nëntë persona të lënduar.
Një nga aksidentet më të rënda ndodhi në aksin Fier-Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës. Si pasojë e përplasjes, katër persona mbetën të lënduar dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit.
Pak minuta më vonë, një aksident zinxhir u regjistrua në autostradën Durrës-Tiranë, pranë Sukthit, ku u përfshinë shtatë automjete. Fatmirësisht, nga ky aksident pati vetëm dëme materiale, megjithëse u krijuan radhë të gjata automjetesh, shkruan Top Channel
Një tjetër aksident ndodhi rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër Lushnjë-Berat. Një automjet doli nga kontrolli, u përplas me barrierat e një ure dhe, pas disa rrotullimeve, përfundoi i përmbysur në rrugë. Drejtuesja e mjetit, 28 vjeçe, u dërgua në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.
Në lagjen Sheq i Madh në Fier, drejtuesi i një motomjeti mbeti i lënduar pas përplasjes me një automjet.







