E hëna e pazakontë e Kurtit dhe Konjufcës, e nisin javën në takime me homologë serbë

Kryeministri Kurti sot gjatë gjithë kohës ka qenë afër kryeministres serbe në Samitin e Londrës të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH),  me të cilën kanë ndërruar disa fjalë e buzëqeshje. Ndërkaq, Glauk Konjufca ka qenë në të njëjtën tryezë me Ivica Daiciqin në Selanik. Kështu, brenda tri javësh në krye të Qeverisë, Kurti e Konjufca kanë pasur herën e parë të tyre të përballjes me tripletën serbe Vuciq-Bërnabiq-Daciq. Tabunë e takimeve me zyrtarë serbë, që për LVV’në deri vonë paraqiste tradhti, i pari e ka thyer Xhelal Sveçla, kur u pa në të njëjtën tavolinë me Marko Gjuriqin në Tiranë.

Kryeministri Albin Kurti, në kuadër të Samitit të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim që u mbajt në  Londër, është takuar për herë të parë me homologen e tij serbe, Ana Bërnabiq. Në takimin e sotëm, Kurti nuk raportohet të ketë mbajtur ndonjë fjalim si ai i Mynihut para presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, që u incizua kundër rregullave por që e nxori mirë kryeministrin e ri të vendit. 

Në një rast, sipas njoftimeve të BERZH’it, Kurti i ka thënë Bërnabiqit se pajtohet me të kur fliste për bashkëpunim tregtar në rajon, ndërsa i ka kërkuar edhe që ta njoh Kosovën.

“Diskutim fascinues në Samitin e BERZH’it për investime në Ballkanin Perëndimor. Kryeministrja e Serbisë ka argumentuar se zhvillimi i tregtisë rajonalë është kyç për sigurinë në Ballkan. Kryeministri Albin Kurti është pajtuar,  ka kërkuar reciprocitetin dhe njohjen e Kosovës”, ka shkruar zv. presidenti i BERZH’it“, ka shkruar zv. presidenti i BERZH’it, Jurgen Rigterink.

Që nga nisja e Samitit për Investime në Ballkanin Perëndimor nga BERZH, Kurti e Bërnabiq janë parë afër-njëri tjetrit. Kryeministri i Kosovës ka folur për rëndësinë e investimeve në Kosovë, që ndihmojnë lidhjen me fqinjtë e saj.

“Neve na duhet infrastrukturë me e mirë, sidomos ajo hekurudhore dhe rrugë të tjera ndërrajonale, ashtu që të kemi lidhje më të mirë brenda shtetit tonë dhe me fqinjët tanë”, ka thënë Kurti gjatë një prononcimi në Londër.

Pas Kurtit, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, njoftoi se ishte në një konferencë në Selanik, bashkë me krydiplomatët e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Aty ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciq dhe në Selanik u shënua takimi i parë mes tyre.

Konjufca në Facebook ka publikuar një fotografi ku shihen të gjithë përfaqësuesit, ndërkaq ka ndarë edhe pjesë nga fjalimi i tij.

Kryediplomati kosovar ka thënë në Selanik se qeverisja e re e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ka në top pritoritetet e saj fqinjësinë e mirë dhe dialogun me Serbinë.

“Kam siguruar gjithashtu se zhvillimi ekonomik dhe social, fqinjësia e mirë dhe dialogu me Serbinë janë qëllimet afatgjatë të qeverisë së re për të kontribuar dhe siguruar paqen rajonale”, ka shkruar Konjufca“, ka shkruar Konjufca.