E gërditshme | Mimoza Kusari që i shërbeu me përulje Hashim Thaçit, e akuzon tani që s’është këtu

Nuk është lajm për askënd në Kosovë se Mimoza Kusari-Lila i ndryshon shpesh qëndrimet, partitë e rrjedhimisht edhe bindjet.

Dikur si zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqej nga një njeri i PDK-së, ajo mbronte veprimet e partisë që sot e shanë, shkruan Demokracia.com.

Si zëvendëse e Behgjet Pacollit pastaj e ministre në Qeverinë e Hashim Thaçit, ajo më pas mbronte e punonte për njeriun që sot nuk lë vend pa e kritikuar.

Por, për tu dukur më e devotshme tek shefi i ri, Albin Kurti, ajo as sonte nuk hezitoi të kritikojë ish-presidentin Hashim Thaçi, ndonëse ai ka më shumë se dy vjet që gjendet në paraburgim.

Kusari që dikur thoshte se Thaçi shquhet si njeri që me bashkëpunëtorët sillet në mënyrë shumë të kulturuar, e sulmoi sonte neveritshëm.

“Personalisht nuk kam pasur ndonjë përvojë të keqe për të. Do të njihet për rolin e tij në UCK, angazhimin në shpalljen e vendit të pavarur, do të mësohet në histori kush e ka lexuar deklaratën e pavarësisë. Të dyja bashkë”, thoshte Kusari-Lila dikur.

Shefja e deputetëve të Kurtit, sonte ka folur për një ide të kamotshme duke ia atribuar Thaçit kinse shkëmbimin e territoreve, që ai asnjëherë as që kishte folur për shkëmbim. Deklaratat e Thaçit ishin vazhdimisht për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që Lugina e Preshevës të bashkohej me Kosovën.

Ajo tha se Kosova ende po i vuan pasojat për shkak të një njeriu: Hashim Thaçi.

“Jo Kurti po e paguan, por do të thoja Kosova po e vuan. Nuk është proces i lehtë, është proces tepër i vështirë, ka pasur një deformim të skajshëm prej vitit 2018 në veçanti deri më 2020 kur është negociuar dhe biseduar për ndarje të Kosovës. Kosova po e paguan krejt këtë. Ende nuk janë rikuperuar pasojat e veprimeve të dëmshme për shtetin tonë kur është menduar se zgjidhja mund të jetë shumë e lehtë, por ne të tjerët e kemi parë që ajo zgjidhje mund të sjellë pasoja fatale jo vetëm për Kosovën, por edhe Ballkanin”, tha ajo.

Sipas saj, tashmë në Bruksel po diskutohet për çështje të targave e jo për marrëveshjen finale mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit, duke thënë se propozuesit e BE-së, diplomatët Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, u tërhoqën nga një plan i tillë.

“Ka qenë Lajçaku me dy këshilltarët e Francës dhe Gjermanisë që e kanë sjellë propozimin. Mos të fokusohemi në çështje teknike, por në marrëveshjen finale. Ne si palë e Kosovës kemi treguar konstruktivitet edhe komunikim të vazhdueshëm”, shtoi ajo, në një intervistë të dhënë për ATV.