Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se Turqia ka bllokuar kalimin e anijeve luftarake ruse në Detin e Zi.
Zelensky përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se populli i Ukrainës nuk do ta harrojë kurrë këtë, transmeton Ballkani.info.
“Falenderoj mikun tim zotin President Erdogan dhe popullin e për mbështetjen e fortë. Ndalimi i kalimit të luftanijeve ruse në Detin e Zi dhe mbështetja e konsiderueshme ushtarake dhe humanitare për Ukrainën janë jashtëzakonisht të rëndësishme sot. Qytetarët e Ukrainës nuk do ta harrojnë kurrë këtë”, ka thënë ai.

Që nga dita e parë e sulmit rus në Ukrainë, 198 ukrainas janë vrarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, ku në mesin e viktimave janë edhe 3 fëmijë.
Ministri ukrainas i Shëndetësisë ka konfirmuar këto të dhëna, duke shtuar se 1115 persona kanë mbetur të plagosur, duke përfshirë edhe 33 fëmijë.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se 35 persona, përfshi dy fëmijë, mbetën të plagosur nga përleshjet e armatosura gjatë natës në rrugët e Kievit.
Sipas tij, nuk ka prani të madhe ushtarake në kryeqytetin ukrainas, por grupe ruse janë aktive në disa zona.
Ushtria ukrainase thotë se 3500 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani dhe 200 të tjerë janë marrë peng. Në postimin e tyre në rrjetin social Facebook thuhet se Rusia ka humbur edhe 14 avionë , 8 helikopterë dhe 102 tanke.







