E fundit: Tërmet i fuqishëm në këtë shtet, së paku 35 të vdekur

Së paku 35 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar nga një tërmet prej 6.2 shkallësh të Rihterit që e goditi ishullin Sulawesi të Indonezisë.

Agjencia e Meteorologjisë ka paralajmëruar se pas këtij tërmeti mund të ketë dridhje të tjera, të cilat mund të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të shkaktuar cunami, shkruan Reuters.

Tërmeti i fuqishëm e pati epiqendrën 6 kilometra në verilindje të qytezës Majene, në thellësi prej 10 kilometrash nën sipërfaqen e tokës. Dridhja ndodhi rreth orës 1 e 30 minuta pas mesnatës, duke bërë që mijëra njerëz të ikin të frikësuar nga shtëpitë e tyre.

Ky tërmet dhe dridhjet që ndodhën pas tij shkaktuan tri rrëshqitje dheu, bënë që të ndërpritet energjia elektrike, dëmtuan urat dhe mbi 60 shtëpi si dhe dy hotele, bëri të ditur zyra e guvernatorit provincial.

Autoritetet thanë se së paku dy persona janë mbuluar nga dheu. Darno Majid, drejtor i Agjencisë së Fatkeqësive në Sulawesin Perëndimor, i tha agjencisë Reuters se së paku 35 persona janë vrarë në Majene dhe në distriktin fqinj, Mamuju, ndërsa pritet që numri i konfirmuar i viktimave të rritet gjatë kohës kur ekipet e shpëtimit po e vazhdojnë kërkimin nën rrënoja të ndërtesave.

Të dhënat fillestare të autoriteteve thonë se 637 persona janë lënduar në Majene, ndërsa mbi 20 të tjerë në Mamuju. Deri më tani nuk është lëshuar ndonjë alarm për cunami, por Agjencia e Meteorologjisë nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo të ndodhë, nëse ka dridhje tjera të fuqishme.