Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka njoftuar se së bashku me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, e ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës një polic, për të cilin pretendon se e ka cenuar fizikisht në sallën e seancës plenare.
Musliu ka kërkuar hetim jo vetëm për veprimet e policit, por edhe për mënyrën se si Policia e Kosovës është futur në sallën e Kuvendit.
Ajo ka ngritur pyetjen se kush e ka ftuar Policinë dhe kush ka dhënë urdhër për ndërhyrjen.
Sipas Musliut, në një seancë konstituive ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të sqarohet se kush ka autorizuar praninë e Policisë brenda sallës.
“Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka kërkuar që të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë, duke theksuar se nuk duhet të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin.
Musliu ka thënë se për 15 vjet, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, ka punuar për një Polici profesionale, të pavarur dhe me integritet, ndërsa ka bërë thirrje që pjesëtarët e Policisë dhe shërbyesit civilë të mos i nënshtrohen presioneve apo urdhrave politikë.







