Bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milena Ivanoviq ka thënë se nuk do të shkojë në protestën e cila në Beograd është paralajmëruar të mbahet më 16 janar, në ditën e vrasjes së Ivanoviqit.

“Nuk do të jem aty. Kurrë nuk do të shkoj, pa marrë parasysh kush e organizon. Kjo nuk është mënyra që Oliveri mos të harrohet. Ku janë të gjithë ata njerëz kur ishte i burgosur për tri vjet e gjysmë? Pse atëherë nuk organizonin protesta që ta ndihmonin që të lirohej? Ku kanë qenë viteve të kaluara? Mendoj se kjo është politizim i tragjefisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar se nuk thotë se në protestën e 16 janarit nuk do të ketë njerëz që do të dalin për shkak të Ivanoviqit, por mendon se dikush këtë po dëshiron ta shfryëzojë, transmeton Ballkani.info.

“Kjo nuk është në rregull”, ka thënë ajo.

Milena Ivanoviq ka thënë se ka punuar në fushatën e Oliver Ivanoviqit kur ka dalë nga burgu dhe përseri kandidoi në zgjedhje, se iu ka shkruar letra atyre që tash protestojnë që ta mbështesin me letra përkrahese, por ata të cilët “tash janë të zëshëm nuk u përgjigjen dhe nuk dëshironin të dëgjonin për letra”.

Milena Ivanoviq është punësuar nga Aleksandar Vuçiq në Qeverinë e Serbisë. Ajo është marrë në mbrojtje të hapur nga pushteti serb, pasi që kanë frikë se ajo din diçka më shumë për vrasjen e bashkëshortit.

Milena është përmendur edhe si e dyshuar për vrasjen e burrit të saj, megjithatë procesi ende është në gjykatën e Kosovës.

Për vrasjen e Ivanoviqit janë arrestuar tre serbë në veri dhe tashmë ata gjenden në paraburgim, ndërsa pritet të nis procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Mirëpo, i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit, Ivan Radojiçiq është marrë në mbrojtje nga Vuçiqit dhe fshihet në Serbi. Ai kërkohet nga autoritetet kosovare për t’u gjykuar. /Ballkani.info/