Video e mbledhjes së KQZ-së, e datës 7 janar, nxjerr zbuluar dy anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Alim Rama dhe Sami Kurteshi.

Të dy ata shihen duke votuar për planin operacional të KQZ-së që e cakton 12 shkurtin si datë të fundit për arritjen e votave përmes postës në fahun e KQZ-së.

Pavarësisht kësaj, në mbledhjen e sotme të KQZ-së ata e kanë kundërshtuar këtë datë duke kërkuar sërish ndryshimin e saj, sepse sipas tyre është e paligjshme. Kjo nuk është hera e parë që dy anëtarët e VV-së ndryshojnë qëndrimin për votën e tyre.

Rama dhe Kurteshi kishin mbështetur vendimin e KQZ-së për verifikimin e aplikuesve jashtë vendit duke iu telefonuar, por të nesërmen e kishin kundërshtuar.

Sipas KQZ-së arsyeja pse 12 shkurti është afati i fundit kur duhet të pranohen fletëvotimet nga KQZ-ja është sepse kështu është vendosur në ligjin e zgjedhjeve.