Më 30 tetor, në ceremoninë klasike të organizuar nga France Football në Teatrin Châtelet në Paris, do të dorëzohet Topi i Artë i 67-të në historinë e futbollit. Prej muajsh duket se është një garë dyshe mes Lionel Messi dhe Erling Haaland.

Fituesi i Kupës së Botës në Katar me Argjentinën e tij, apo Tripleta e Manchester City me një rekord golash? Çështja duket se është zgjidhur. Ndërsa Kevin De Bruyne dhe Bernardo Silva duket se do të garojnë vetëm për shkallën e tretë të podiumit.

Gjithsesi, nga Spanja ka mbërritur një e dhënë që largon çdo lloj dyshimi. Tashmë është zgjedhur fituesi i Topit të Artë.

TOPI I ARTË 2023 PËR MESSI

Ishte Diario Sport që i dha zë thashethemeve që qarkullonin prej ditësh. Në ceremoninë e fundit të tetorit Leo Messi do të fitojë Topin e tetë të Artë të karrierës së tij të pashoqe. Argjentinasi, protagonisti i madh i Botërorit të fituar në Katar dimrin e kaluar me kombëtaren e tij, do të vendosë një tjetër rekord. Pleshti do të jetë lojtari i parë që do të marrë trofeun e lakmuar pa qenë në një ekip europian. Kundërshtari i vetëm për Pleshtin, siç dihet, është Erling Haaland. Por norvegjezit, siç duket, nuk i kanë mjaftuar 52 golat në 53 paraqitje të sezonit të kaluar me City për të fituar çmimin.

Ndërsa për femrat, trofeu, sërish sipas Diario Sport, do të mbetej në Spanjë. Alexia Putellas, fituese e dy edicioneve të fundit, në fakt do të pasohej nga bashkatdhetarja e saj Aitana Bonmati. Njoftimi do të bëhet në pak më pak se dy javë.