Dyshohet se Prokurori Agron Matjani ka kryer vetëvrasje

Mëngjesin e sotëm brenda banesës së tij në një lagje të Prizrenit u gjet pa shenja jete ish- prokurori, Agron Matjani. Sipas burimeve të Gazetës Express prokurori dyshohet se ka kryer vetëvrasje. Siç mëson gazeta, Matjani kohëve të fundit kishte pasur probleme shëndetësore: Vuante nga diabeti i rëndë nga i cili kishte rrezik  t’i amputohej edhe njëra këmbë. Prokuroria nuk hedh poshtë dyshimet për vetëvrasje, mirëpo thotë se për një version të tillë është herët të flitet.

Një thirrje telefonike i ishte bërë sot në mëngjes Policisë së Kosovës. Këta të fundit u njoftuan se ish-prokurori Agron Metjani ishte gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Atë e para e kishte gjetur, gruaja e tij, e cila i kishte njoftuar forcat e rendit.

Dyshimet e para për gjithë këtë ngjarje të rëndë çojnë drejtë vetëvrasjes që ishte shkaktuar nga prerja e venave të njërës këmbë. Sipas burimeve të gazetës Express, Matjani, kohëve të fundit po  përjetonte një gjendje depresive pasi gjendja e tij ishte rënduar për shkak të diabetit.

“Kohëve të fundit gjendja e tij emocionale ka qenë pak e luhatshme. Më thanë të afërmit e tij se po dyshohet që ka kryer vetëvrasje. Gruaja e tij e kishte gjetur në vaskë në banjo. Kohëve të fundit iu përkeqësua gjendja edhe nga diabeti”, deklarojnë për Express, burime brenda organeve të hetuesisë.

Por, rasti është duke u hetuar si vdekje e dyshimtë brenda institucioneve të hetuesisë në vend.

“Me të marrë lajmin, prokurorja kujdestare së bashku me njësitet relevante policore, kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

I kontaktuar nga Express, zëdhënësi i policisë rajonale në Prizren, Shaban Osmanollaj, konfirmoi se autoritetet i janë përgjigjur rastit të një vdekjeje të dyshimtë dhe se ekipet relevante janë në terren.

Ai më herët ishte prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës derisa u shkarkua nga kjo përgjegjësi për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjatë detyrës si prokuror, Matjani trajtoi raste nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat, siç është edhe ai i vrasjes makabre të gruas dhe vajzës nga Pjetër Nrecaj.