Dyshohet për korrupsion, prokurorët bastisin zyrat e partisë së Kancelarit Kurz të Austrisë

Prokurorët austriakë të mërkurën i bastisën zyrat e partisë së kancelarit austriak, Sebastian Kurz, dhe të disa prej ndihmësve të tij më të afërt. Mediet austriake thonë se ka dyshime për korrupsion, përfshirë pagesat shtetërore për reklama në gazeta.

Këto hetime paraqesin kokëdhimbje të re për Kurz-in, të cilin prokurorët kundër korrupsionit e futën nën një hetim tjetër në maj nën dyshimin për dëshmi të rreme. Një zëdhënës i Ministrisë së Financave tha se edhe një departament i kësaj ministrie është bastisur, shkruan Reuters.

“Dyshime të mëtejme po fabrikohen për ngjarje, disa prej të cilave kanë qenë pesë vjet më parë. Kjo po vazhdon të ndodhë me të njëjtin qëllim dhe metodë: për t’i dëmtuar seriozisht Partinë Popullore dhe Sebastian Gurz-in”, tha nënkryetarja e kësaj partie, Gaby Schëarz, përmes një deklarate duke konfirmuar se zyrat e partisë janë bastisur.

Mediet austriake raportuan se prokurorët janë duke vepruar nën dyshimin për korrupsion, ku janë përfshirë pagesa qeveritare për reklama në gazeta në këmbim të mbulimit të favorshëm ose sondazheve të favorshme.

Tabloidi austriak, “Osterreich”, mohoi të ketë pranuar pagesa qeveritare për reklamim në këmbim të publikimit të sondazheve, duke shtuar se prokurorët kundër ryshfetit janë duke hetuar mbi bazën e “keqkuptimeve qartazi serioze”.

Ndryshe, buxhetet e mëdha të ministrive austriake për reklamim në gazeta janë identifikuar para një kohe të gjatë si burim i mundshëm i ndikimit të paligjshëm në medie.