Dyshimet për vjedhje votash, KQZ e gatshme për bashkëpunim me Prokurorinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se po i ofron bashkëpunim Prokurorisë së Shtetit lidhur me dyshimet për manipulim të votave në rastin e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se lidhur me këtë rast, kanë komunikuar me Prokurorinë, duke ia ofruar të gjitha detajet e nevojshme.

“Menjëherë pas transmetimit në media të lajmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë Elezi.

Një video-incizim i publikuar dje nga Insajderi, e përfshin bashkëshortin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, në manipulim të votave.

Në bazë të kësaj videoje, dyshohet se Dardan Stublla i ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stubllas, për t’ia mundësuar kësaj të fundit, ta fitojë një mandat në Kuvend.

Dardan Stublla ka reaguar sot lidhur me këtë rast, duke e quajtur inskenim këtë. Ai tha se rastin ka raportuar edhe në Polici.

“Kjo video është komplet e inskenuar nga grupet kriminale që funksionojnë në shërbim të interesave të ngushta e personale, që kanë prapa persona të caktuar në përkrahje ‘të sapo aderuarve’ në listën për deputetë në AAK…”, shkruan ai ndër të tjera.

Duke reaguar për këtë rast, kandidatja e LDK-së për deputete, Lirije Kajtazi tha sot se edhe rezultati i saj u përmbys me këtë model në minutat e fundit.

“Me këtë model u përmbys edhe rezultati im ne minutat e fundit
në Qendrën per fabrikimin e rezultateve (QNR)Të nderuar qytetarë, unë po vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm në luftën për DREJTËSI dhe DEMOKRACI”, ka shkruar ajo.

Të njëjtat akuza i ka edhe Jetlir Zyberaj i AKR-së, që ishte kandidat për deputet nga lista e LDK-së.

“Informacionet e sakta thonë që ka ekzistuar plan i organizuar i vjedhjes së votave të presidentit Pacolli dhe votat e mija si kandidat”, ka shkruar Zyberaj, duke kërkuar rinumërim të votave.

Rinumërim ka kërkuar edhe kandidati tjetër i LDK-së për deputet, Faton Bislimi. Ai ka shtuar se “ky model i vjedhjes së vullnetit të sovranit ka prek edhe shumë kandidatë tjerë”.

“Të paktën që do të duhej PZAP të bënte sot është të dërgonte në rinumërim komplet votat me kusht dhe ato të diasporës (të cilat ekskluzivisht janë numëruar në QNR) dhe secilën kuti tjetër ku ka një fije dyshimi për manipulim. Përndryshe, demokracia jonë fragjile po fundoset. Burgu është pak në krahasim me fundosjen e demokracisë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.