Dyshime për keqpërdorime në subvencionimin e energjisë, deputeti i PDK’së fton prokurorinë për hetime

Ditë më parë është hapur afat i dytë për aplikim për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë.

Është deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili ka vënë dyshime në realizueshmërinë e këtij procesi.

Ai ka thënë se dyshon se ka keqpërdorim në subvencione.

“Ka keqmenaxhim dhe keqpërdorim të detyrave zyrtare në pjesën e subvencioneve. Dyshoj që ka keqpërdorim. Është e pamundur që të ketë implementim kaq të shpejtë në kohë kaq të shkurtër”, është shprehur Lushtaku për Klan Kosovën.

Lushtaku ka ftuar prokurorinë ta hetojë këtë proces pasi thotë se mungojnë kriteret për ndarje të subvencioneve, një arsye më tepër për shtim të dyshimeve.

“Ftoj prokurorinë për mbikëqyrje sepse ka keqpërdorim. Nuk është vendosur asnjë kriter që ato t’i marrin njerëzit që e meritojnë”, ka thënë ai.