Dyfish më shumë të shëruar sesa infektime të reja nga koronavirusi

Në 24 orët e fundit në Kosovë kanë vdekur edhe 4 persona si pasojë e virusit COVID-19.

Ndërsa janë shënuar edhe 215 raste të reja të infektuara. Gjatë kësaj kohe ka pasur më shumë të shëruar se të infektuar.

Kësisoj janë shëruar 428 persona.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.012 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 215 raste pozitive”, është thënë nga IKSHPK.

Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 2 raste (70, 69 vjeç), Drenas 1 rast (52 vjeç) dhe Istog 1 rast (61 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 50.620 raste nga 179.402 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.309 raste të vdekjes.