Dy të akuzuarat pranojnë se ishin pjesë e ISIS-it, thonë se gabuan që shkuan në Siri

Të akuzuarat për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS, Venera Ademi dhe Ermira Sekiraqa, e kanë pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur të premten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Afrim Shefkiu, të akuzuarat janë deklaruar fajtore për veprën penale e cila u vihet në barrë.

“E pranoj fajësinë, nuk kam qenë më parë e dënuar kjo është hera e parë. Jam nënë e tre fëmijëve të mitur dhe kujdesem siç e kam cek ne deklaratat e dhënë në prokurori ma herët. Jam penduar për veprimet e mija dhe kjo ka ndodhë për shkak se kam qenë e re dhe nuk kam mëndu për pasojat”, ka thënë Ademi.

“Po, e pranoj fajësinë nuk kam çka me shtu përveç deklaratës se dhënë ma herët në prokurori. Kisha kërku që dënimi të jetë ma i ulët pasi jam nënë e dy fëmijëve pasi burrin nuk e kam në liri dhe shkuarja ime atje ka qenë pa dashjen time dhe se nuk e kam ditë ku ka me shku, dhe tash jam penduar dhe tash e kam kuptu se kam vepruar gabim”, ka thënë Sekiraqa.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurori Shefkiu, e as nga mbrojtëset e të akuzuarave, avokatet Marigona Shabani dhe Saranda Beqiri dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, me arsyetimin se pranimi ishte bërë vullnetarisht nga të akuzuarat, pa presion dhe se gjente mbështetje në shkresat e lëndës.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet 27 janar 2020, në ora 10:00.

Para fillimit të seancës, mbrojtësja e të akuzuarës Sekiraqa, avokatja Beqiri me kërkesë të mbrojtëses së saj ka kërkuar që të përjashtohen mediat për arsye të personalitetit të saj dhe familjes së saj, si dhe të përdoren inicialet, të cilin propozim e ka refuzuar gjykatësja Shaban-Rama.

Lidhur me këtë, prokurori Shefkiu, ka thënë se nuk ka nevojë të përjashtohet publiku dhe ka kërkuar që me rastin e marrjes së të dhënave personale të heqin mbulesën nga fytyra për identifikim.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 20 dhjetor 2019, ndaj Venera Ademi dhe Ermira Sekiraqa, për veprën penale “Organizimi  dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Ademi, më 18 maj 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka udhëtuar për në Stamboll, më pastaj në qytetin Gazientep, ku ka qëndruar 2-3 ditë, më pastaj sipas udhëzimeve të pjesëtarëve të ISIS-it, me “kombibus” ka arritur në qytetin Gjarablus të Sirisë, është pritur nga Kastriot Ademi, luftëtar i ISIS-it.

Sipas aktakuzës, thuhet se me të njëjtin është martuar dhe gjatë qëndrimit në këto zona të konfliktit nga ai është furnizuar me një armë të zjarrit, të llojit “Makarov”, pronë e ISIS-it të cilën edhe e ka përdorur sipas udhëzimeve të tij dhe po ashtu ka kontribuar në pikëpamje logjistike për bashkëshortin e saj, si luftëtar i ISIS-it, dhe është financuar nga shteti islamik me nga 50 dollarë në muaj për person, si dhe me pako ushqimore dhe po ashtu pas vrasjes se bashkëshortit të saj, ka qëndruar në këto zona të konfliktit, e që në muajin dhjetor 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane, ku edhe më 19 mars 2019, e akuzuara është riatdhesuar në Kosovë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, e akuzuara Sekiraqa, fillimisht thuhet se më 17 dhjetor 2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me bashkëshortin e saj Mendush Selimoviq, përmes vendkalimit kufitar të Hanit të Elezit, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës kanë depërtuar në Stamboll të Turqisë, e më pastaj në qytetin Gazientep, prej nga janë transportuar me automjete nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it, në drejtim të zonës kufitare me Sirinë, ku edhe kanë kaluar kufirin më këmbë dhe pas regjistrimit në këtë organizatë terroriste, bashkëshorti i saj ka marr pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ndërkaq e njëjta ka kontribuar në pikëpamje logjistike të mbështesë luftëtarët e ISIS-it.

Në aktakuzës thuhet se njëkohësisht është financuar nga ISIS për shumën e të hollave prej nga 100-150 dollarë në muaj, si dhe me pako ushqimore, me ç’rast në muajin dhjetor  të vitit 2018 përgjatë kufirit me Turqinë janë arrestuar nga forcat demokratike siriane, ku edhe më 19 prill 2019, është riatdhesuar në Kosovë.