Çështja e dinarit

Dy runde ndërmjet Bislimit e Petkoviq për dinarin në Bruksel, a do të jetë i treti vendimtar?

Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq dje ishin sërish në Bruksel për takime nga të cilat edhe një tjetër herë dolën pa u marrë vesh për çështjen e dinarit. Kryenegociatorët shpalosën propozimet e tyre, mes të cilave duket se ka ende dallime të mëdha. Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se dje sqaruan detaje të rëndësishme. Diplomati europian do t’i mbledh sërish kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme. Ai u duk më optimist në ambicien për ta gjetur një zgjidhje atëherë.

As udhëtimi i dytë i kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel nuk solli të hënën marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi prej shkurtit dhe që synon ta largojë nga përdorimi dinarin serb në vend.

Bislimi foli për dallime të mëdha, pas takimeve të djeshme, ndonëse tha se propozimi kosovar ishte konstruktiv. Petkoviq, në anën tjetër, pati kritika se pala kosovare s’po mundohet për të arritur marrëveshje.

“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi, pa dashur të japë detaje për propozimet.

Petkoviq tha se është i shqetësuar sepse “nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu”.

“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, tha kryenegociatori serb.

Më pozitiv nga takimet e djeshme doli i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Tha se tha dje në Bruksel u sqaruan detaje të rëndësishme.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, shkroi Lajçak në “X”.

Ndërmjetësi europian shtoi se janë pajtuar të mblidhen sërish javën e ardhshme “me ambicien për ta gjetur një zgjidhje”. Të dy kryenegociatorëve do t’u duhet të udhëtojnë sërish në Bruksel, pasi dje u vendos për një takim javën e ardhshme më 4 prill.

Bislimi dhe Petkoviq ishin në Bruksel edhe më 19 mars dhe edhe nga ai takim dolën pa marrëveshje. Atë ditë, ishin pajtuar vetëm që deri më 22 mars t’i dorëzonin propozimet e tyre për çështjen e dinarit dhe që javën pasuese të takoheshin sërish për t’i diskutuar opsionet.

Një ditë para takimit të parë të kryenegociatorëve për dinarin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thoshte se “është urgjente që kjo çështje të zgjidhet”, ndërsa njoftonte se ishte arritur një pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë. SHBA-ja kërkon pezullimin.

“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit nga ajo që jam e informuar deri më tani dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër. Është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA-në pajtohen që të mos të ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë dhe edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ato dërgesa edhe ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia. Pra, tash e tutje të arrijë në euro dhe jo në dinar. Dhe kjo mendoj që e zgjidhë një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën, sepse çështja ka qenë sit ë zbatohet neni 11 i Kushtetutës që kërkon që në Kosovë të ketë vetëm një valutë e ajo është euroja”, është ajo më 18 mars, gjatë një vizite në Lipjan.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, priste më shumë nga takimi i kryenegociatorëve. Ai shpresonte për një “marrëveshje “zgjidhje të menjëhershme”.

“Unë ende jam duke shpresuar që, kur kryenegociatorët të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, ka deklaruar diplomati amerikan më 15 mars, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Janë disa opsione të cilat Escobar i ka diskutuar këtë muaj me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë. Por, siç tha ai, ato nuk do mund të realizohen shpejt. Kështu, kërkoi sërish shtyrjen e zbatimit të rregullores.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi fillimisht në shkurt kishte refuzuar të shtonte në Bruksel për të folur për çështjen e dinarit.

Zëvendësi i Kurtit pati thënë më 21 shkurt se takimi për dinarin nuk ishte takim në të cilin ai duhet të shkonte.

“Ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ishte shprehur ai gjatë një tryeze me temën “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”.

Për çështjen e dinarit, Kosova dhe Serbia diskutuan pa sukses në Bruksel edhe në fund të shkurtit. Në atë takim kishte shkuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

VIDEO BONUS: