Rastet e reja

Dy punonjës të Spitalit në Ferizaj vetizolohen, familjari i tyre, kirurg në Prishtinë, rezultoi me COVID-19

Dy punonjës shëndetësorë në Spitalin Rajonal të Ferizajt janë vetizoluar, pasi një ditë më parë ka rezultuar me koronavirus një familjar i tyre, i cili punon si kirurg në një spital privat në Prishtinë.

Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit Rajonal në Ferizaj, ka thënë se tashmë janë gjurmuar kontaktet e dy punonjësve të këtij spitali.

“Spitali privat në Prishtinë ka qenë vatër e katër punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19. Në të njëjtin grup është edhe një specialist nga Ferizaj, andaj dy familjarë të tij, që janë pjesë e stafit të Spitalit Rajonal në Ferizaj janë vetizoluar. Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike i kemi gjurmuar kontaktet e ngushta”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka njoftuar se në bazë të rezultateve të ditës së sotme, familjarët e mjekut nga Ferizaj kanë rezultuar negativë.