Dy orë takim, pesëshja ndërkombëtare ende në zyrën e Kurtit

Delegacioni i pesëshes ndërkombëtare, i përbërë nga emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministrit të Italisë, Francesco Talo vazhdojnë të jenë në zyrën e kryeministrit Kurti, në takimin që ka nisur rreth dy orë më parë.

Pesëshja ndërkombëtare u njoftua se do të diskutojë me Kurtin për “procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”.

Kjo vizitë e nivelit të lartë vjen në vazhdën e paralajmërimeve për arritjen e një marrëveshjeje bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të BE-së, apo të ashtuquajturin planin franko-gjerman për dialogun.

Pas takimit nuk është bërë e ditur nëse do të ketë deklarime për media.

Delegacioni nga BE dhe SHBA-ja pas Kosovës do të qëndrojë për vizitën edhe në Beograd, ku do të kenë takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.