Dy orë para se të vritej, Astrit Ademaj kishte publikuar video në Facebook

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Ademaj, ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së mërkurës në qendër të qytetit të Pejës.

Në këtë tragjedi, i vrarë mbeti edhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Deçanit, Blerand Kadrija dhe u plagos Avni Ademaj – vëllai i Astrit Ademajt.

Lajmi është konfirmuar tashmë edhe nga Policia e Kosovës dhe zyrtarë të komunës së Pejës.

Astrit Ademaj, para pak javësh ishte zyrtarizuar si kandidat për kryetar të Komunës se Pejës, nga Partia Demokratike e Kosovës.

Vetëm dy orë para tragjedisë ku e la pa shenja jete – Astrit Ademaj, kishte publikuar një video në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Në atë video Ademaj kërkonte votën e pejanëve për të qeverisur me Komunën në katër vitet e ardhshme dhe kishte prezantuar kandidaturën e Selmon Berbatit për këshilltar komunal në Pejë.

Ballkani.info do ju mbajë të informuar për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në Pejë dhe dyshimet e para mbi motivet e kësaj tragjedie.