Dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, ndarja e posteve mes VV-së e LDK-së e vonon formimin e Qeverisë

Sot edhe zyrtarisht bëhen dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Kanë kaluar dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit në Kosovë, mirëpo ende s’ka marrëveshje për koalicion qeverisës, shkruan lajmi.net.

Gjatë kësaj periudhe, një kohë e madhe u humb me rinumërimin e votave, në bazë të parregullsive të evidentuara nga PZAP në vendvotimeve të ndryshme në Kosovë.

Ndër zhvillimet kryesore pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ishte edhe helmimi i anëtarëve të KQZ-së nga votat e ardhura nga Serbia, të cilat më vonë u hoqën nga rezultati përfundimtar.

Kjo ia mundësoi koalicionit Nisma-AKR-PD përfaqësimin në Kuvend me 6 deputetë, teksa paraprakisht kjo parti mbetej jashtë Parlamentit duke mos e kaluar pragun.

Edhe votat e ardhura me vonesë nga diaspora shkaktuan kokëçarje për KQZ-në, teksa me një vendim të Supremes, u vendos që ato mos të përfshihen në rezultat final.

Ndonëse kanë kaluar dy muaj, partitë fituese, VV dhe LDK nuk po arrijnë të gjejnë një marrëveshje.

Megjithë harmonizimin e programit qeverisës, për këto dy subjekte “mollë sherri” po bëhet ndarja e posteve.

Partia e Isa Mustafës, po kërkon që me çdo kusht në marrëveshje t’u sigurohet edhe posti i presidentit, gjë për të cilën nuk po pajtohet Vetëvendosje.

Kërkesë tjetër e LDK-së, që nuk po pritet aq mirë nga partia e Kurtit është edhe ministria e Punëve të Brendshme, e cila me ngulm po kërkohet të jetë nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Që nga e hëna, mes këtyre dy partive nuk ka pasur më takime në nivel kryetarësh, për çka thuhej se do të vazhdonin gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, dita ditës po shtohet edhe presioni i ndërkombëtarëve që këto dy parti të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe Kosova të ketë institucionet e formuara para fillimit të vitit të ri.