Dy muaj arrest shtëpiak për policin dhe mësuesin në rastin e të miturës nga Drenasi

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se Departamenti për të Mitur, më 02.05.2019, ka ushtruar Propozim për zëvendësimi e masës së paraburgimit, si masë më e rëndë e sigurisë, në një masë alternative, masën e arrestit shtëpiak, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për dy të pandehurit V.V., dhe Sh.Xh.

Sipas njoftimit, Prokurori i rastit, ndaj të pandehurve të lartcekur, ka zhvilluar të gjitha hetimet, si dhe ka siguruar të gjitha provat materiale të nevojshme lidhur me këtë rast penal.

“Propozimi i ndërrimit të kësaj mase nga prokurori i rastit, është bërë konform dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, duke mos harruar asnjëherë se edhe masa e arrestit shtëpiak është masë e sigurisë për prezencën e të pandehurve në procedurën penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke ua shqiptuar masën e arrestit shtëpiak dy të pandehurve, për dy muaj, periudhë kjo e mjaftueshme deri në momentin e ngritjes së aktakuzës nga prokurori i këtij rasti”, thuhet në njoftim.