padi nga komunat

Dy ministri do përballen me padi nga komunat, akuzohen se shkaktuan 35 milionë euro dëm

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka njoftuar se komunat janë duke e shqyrtuar mundësinë që ta padisin Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MAShTI) dhe Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se edhe pse kontratat kolektive janë nënshkruar nga këto dy ministri, mbulueshmërinë financiare po detyrohen ta paguajnë komunat, raporton Ekonomia Online.

Sipas Ibrahimit, vlera e dëmeve të shkaktuara nga niveli qendror tejkalon shifrën e 35 milionë euro.

“Gjatë ditë të fundit, Asociacioni i Komunave të Kosovës organizoi takimet përmbyllëse me kolegjiumet tona profesionale sa i përket hartimit të modelpadive ndaj MASHTI-t dhe Ministrisë së Shëndetësisë. E kanë finalizuar modelet sa i përket modeleve ndaj këtyre dy ministrive dhe në bazë të informatave që i kemi si AKK, vlera e dëmeve që u janë shkaktuar komunave me marrjen e mjeteve buxhetore tejkalon shumën prej 35 milionë euro”, tha ai.

Ibrahimi ka thënë se përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin e Granteve Komunale edhe këtë vit kanë kërkuar nga Qeveria që të planifikohet dhe të ndahet buxhet për zbatimin e këtyre Kontratave, por që është refuzuar edhe këtë herë.

“Padia e komunave ndaj këtyre dy ministrive që këto miliona euro të rikthehen në buxhetet komunale sepse padrejtësisht u janë marrë komunave, sepse kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror pa konsulta apo pa informim të komunave, kurse buxhetit u është marrë atyre. Ne si Asociacion e kemi ngrit këtë shqetësim disa herë, kemi shpresuar që të gjejmë një gjuhë të përbashkët me nivelin qendror. Në takimin e fundit të Komisionit të Granteve edhe një herë është ngritur ky shqetësim mirëpo nuk ka gjete përkrahje nga niveli qendror dhe pas këtij takimi, Bordi i Asociacionit ka kërkuar të fillohet me analizimin e situatës por edhe me hartimin e padive ndaj këtyre ministrive”, tha tutje ai.

Tutje Ibrahimi thotë se kostoja financiare për zbatimin e këtyre Kontratave është e papërballueshme nga buxhetet komunale. Sipas tij kjo praktikë ka ndikuar dhe është pengesë në mosrealizimin e shumë projekteve kapitale e të cilat projekte ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit.

“Neve mendojmë që argumentet janë në anën e komunave sepse ligjërisht nënshkruesi i ndonjë kontrate duhet ta marrë edhe barrën financiare mirëpo në këtë rast nënshkruesit e kontratave nuk e kanë marrë këtë barrë, përkundrazi këtë barrë ia kanë lënë nivelit lokal. Po them edhe një herë se dëmi i shkaktuar me moszbatimin e këtyre kontratave tejkalon shifrën e 35 milionë eurove, këto miliona janë marrë nga vijat buxhetore për investimet kapitale, dhe ato nuk kanë mundur të ndodhin për shkak se u janë marrë ato mjete financiare. Ne do të kërkojmë që ato mjete të rikthehen në nivelin lokal por gjithashtu të gjendet një zgjidhje e përhershme sa i përket zbatimit të kontratave kolektive në të ardhmen”, tha tutje ai.

Ibrahimi ka thënë se si pasojë e këtyre kontratave kolektive, disa komunave u është bllokuar xhirollogaria.