Hakim Ziyech dhe Noussair Mazraoui ishin duke agjëruar gjatë ndeshjes së mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit. Mirëpo, mungesa e ushqimit dhe pijes nuk duket se ndikoi në nivelin e tyre të energjisë.

Dyshja e klubit holandez luajti mbrëmë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit, megjithatë agjërimin nuk e ndërprenë. Ata agjëruan edhe në fushën e lojës, deri në minutën e 24-të të ndeshjes, kur bënë iftar.

Në minutën e 24-të të ndeshjes bënë iftar dhe Ziyech e shënoi golin e dytë të Ajaxit vetëm 11 minuta pasi bëri iftar.

Përkundër që ishin duke agjëruar, Ziyech dhe Mazraoui duket se kishin mjaft shumë energji, pasi që statistikat e lojës dëshmojnë se ata vrapuan më shumë në fushë sesa nëntë lojtarë të Tottenhamit.

Ajaxi e mbylli pjesën e parë të ndeshjes duke fituar me rezultat 2-0, pasi golat e shënuara nga Matthijs de Ligt dhe Ziyech ia dha atyre epërsinë me rezultat të përgjithshëm 3-0.

Mirëpo, skuadra e Mauricio Pochettinos i mblodhi forcat për pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje dhe arriti ta sigurojë fitoren me rezultat 2-3, përkundër që kjo gjë dukej shumë e pamundur pas lojës në pjesën e parë.