Rritja e çmimit të rrymës për herë të dytë gjatë këtij mandati qeverisës nuk është mirëpritur në Kosovës. Vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji që tarifat e energjisë elektrike të shtrenjtohen për rreth 15 për qind, ka nxitur reagime të shumta.

Për këtë vendim opozita, ekspertët dhe qytetarët kanë fajësuar Qeverinë Kurti. Ndonëse kriza energjetike ka qenë e pritshme, sipas tyre, qeveria për dy vite nuk ka bërë asnjë veprim për shtimin e kapaciteteve vendore energjetike.

Ish-deputeti i VV-së, Dardan Sejdiu, është shprehur i zhgënjyer me veprimin e Qeverisë Kurti.

“Si një qytetar dhe për një kohë si pjesë e politikës në vend, kam mbështetur dhe kam punuar gjithmonë për politikat e qendrës së majtë, por sot jam i zhgënjyer nga vendimi i fundit për rritjen e çmimit të energjisë për 14%. Ky vendim paraqet një largim nga vlerat bazë të një qeverie progresiste e cila do të duhej të ketë prioritet drejtësinë sociale dhe mirëqenien e qytetarëve të thjeshtë. Grupi që sot qeverisë me vendin ka theksuar gjithmonë rëndësinë e reduktimit të pabarazisë. Ky vendim për rritjen e çmimit të energjisë nuk e reflekton këtë qëllim. Kjo rritje do të prekë në mënyrë disproporcionale familjet me të ardhura më të ulëta dhe do të përkeqësojë pabarazitë ekzistuese”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, qeveria ka vendosur rritjen e çmimit pa bërë as edhe një investim në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe në masa për efiçiencë të energjisë.

“Për më tepër, rritja e çmimeve të energjisë duket se është në kundërshtim me vizionin për një të ardhme të gjelbër dhe reduktimin e emetimeve të karbonit. Pa bërë as edhe një investim në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe në masa për efiçiencë të energjisë, ky pushtet ka zgjedhur të rrisë çmimin e energjisë. Ky vendim është edhe më zhgënjyes pasi që minon besueshmërinë e qeverisë dhe besimin e qytetarëve në aftësinë e saj për të zbatuar politika progresive. Duke u larguar nga vlerat e një qeverie progresiste, kjo qeveri po shndërrohet vetëm në një administrator të djathtë”, ka shkruar ai.

Edhe deputeti i LDK-së Besian Mustafa, ka akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka bërë asnjë veprim në këtë drejtim.

“Kjo qeveri për 2 vjet nuk ka investuar asnjë cent në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në sektorin e energjisë elektrike. Qindra miliona euro të shpenzuara në subvencionim, nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të energjisë”, është shprehur Mustafa.

Ai ka bërë me dije se Qeveria Kurti urgjentisht duhet të investojë në krijimin e kapaciteteve për gjenerimin e energjisë elektrike.

“Qeveria duhet urgjentisht të investojë në krijimin e kapaciteteve vendore të gjenerimit të energjisë elektrike në partneritet me sektorin, privat vendor dhe ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa.

Energjetika faktor zhvillimor për ekonominë

Edhe analisti Valon Syla mendon se investimet në fushën e energjisë janë të mriseadhurs në Kosovë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se deri me tani këtu qeveria ka ngecur.

“Pas përfundimit të autostradave, energjetika mbetet faktori i parë zhvillimor për ekonominë e Kosovës. Vetëm ndërtimi i kapaciteteve të reja deri në 500 MËh do ndikonte në rritje ekonomike prej 2.5% për vjet, aq sa përafërsisht i ka Kosova pas 2 vite pandemi dhe krizë ekonomike e shkaktuar nga Lufta Ukrainë – Rusi. Sot ekspertët e pavarur dhe shoqëria civile e vlerëson se rritja ekonomike është diku 2.7% prej që ka ra nga një ngritje normale e Kosovës para këtyre faktorëve që ishte 4.8% deri në 5.2%, viteve 2012 deri me 2018. Sot Qeveria Kurti rren që rritja ekonomike është 7% deri në 11%, por në fakt sështë as 3%”, ka shkruar ai, duk shtuar se në këtë drejtim edhe qeveritë e mëhershme kanë dështuar.

“Gati se 90% të rasteve Qeveritë e Kosovës kanë dështu në energjetikë. Tash e kemi rastin me zënë trenin e fundit për të prodhuar dicka e për të nisur ndonjë projekt… por sipas planifikimeve të Qeverisë Kurti, po shohim se ska as ide, as plan, përveç që i ka ndërpre të gjitha projektet energjetike si Kosova e Re, gazjellësi me BE dhe MCC, si dhe projekte të tjera energjetike duke i rritur çmimet e rrymës deri në 60%, dhe importin e energjisë të cilin duket se e kanë bërë pazar agjentët energjetik e diplomatik të Kurtit, sikur Martin Berisha”, ka shkruar ai.

Çka ndodhi?

Të enjten, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka marrë vendim që tarifat e energjisë elektrike të shtrenjtohen për rreth 15 për qind.
Këto tarifa do të hyjnë në fuqi nga nesër, pra nga 1 prilli e do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Në ZRrE, si arsye për rritjen e tarifave është përmendur furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike.

Për konsumatorët deri 300 kËh, rritja mujore në supozimin se konsumi do të jetë 60 me 40, do të ketë rritje prej 2 eurosh e 88 centësh. Për konsumatorët deri 450 kËh prej 4 eurosh e 18 centësh. Për konsumatorët deri në 600 këh, rritja do të jetë 5 euro; deri në 800 këh, ku bëjnë pjesë 80 për qind e konsumatorëve, rritja do të jetë 7 euro e 23 centë. Për ata që harxhojnë 1000 kËh, rritja do të jetë 10,51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kËh, rritja do të jetë 13,80 euro./nacionale/