Dy dekada e-mail-e u shkatërruan në pak orë

Ofruesi i e-mail-it VFEmail tha se kishte pësuar një humbje katastrofike të të gjithë serverave nga një sulmues i panjohur dhe si rezultat kishte humbur dy dekada të dhëna në pak orë.

“Po, @VFEmail ka marrë fund,” shprehej në rrjetin social Twitter themeluesi Rick Romero pasi kishte parë dikë të riformatonte hardisqet e shërbimit që daton nga 2001.

“Me shumë gjasa nuk do të kthehen më. Nuk e kam besuar që dikush do të ishte kaq i kërcënuar nga dashuria ime për këtë punë saqë ta shkatërronte plotësisht,” shkruante ai.

Problemet filluan kur ai pa se të gjithë serverët e tij kishin rënë. Pak orë më vonë llogari në Twitter e VFEmail.net tha se një sulmues i panjohur kishte formatuar çdo gjë.

Romero tha se dëmi përfshin mbarë infrastrukturën e VFEmail që nga hostet e e-mail-it, tek makinat virtuale dhe serverët SQL.

Shtrirja e dëmit tha ai tregon se mund të jetë shkaktuar nga dikush që ka akses në disa fjalëkalime dhe kjo është pjesa e frikshme.

VFEmail i është rikthyer operimit por folderat, e-mail-et, filtrat dhe pothuajse çdo gjë e përdoruesve ka ikur. Përdoruesit pa pagesë të shërbimit ende nuk mund të dërgojnë e-mail-e.

Motivimi pas sulmit nuk dihet. Sulmet më shkatërrimtare zakonisht jemi mësuar ti shohim nga ransomware-t.

VFEmail është themeluar në 2001 në përgjigje të virusit ILOVEYOU i cili infektoi miliona kompjuterë Windows. Shërbimi duhet të ofronte eksperiencë dhe siguri më të mirë duke skanuar mesazhet për maluerë.

Kompania thotë se shkatërrimi erdhi nga duart e një hakeri ku IP e adresa figuron në Bullgari.

Sulmuesi kishte përdorur forma të ndryshme aksesi në infrastrukturën e VFEmail dhe si rezultat edhe verifikimi me dy faktorë nuk do të kishte mundur ta ndalonte.