PSD

Dy aktivistë u dërguan dje në mbajtje për protestën e 29 janarit, PSD akuzon policinë se po gënjen

Një aksion në zyrat e ZRRE-së, ka çuar në pranga trembëdhjetë zyrtarë të Partisë Socialdemokrate. Policia në raportin 24 orësh njoftoi vetëm për katër zyrtarë të PSD-së të dërguar në mbajtje dhe të tjerëve u janë shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje. Por, nga PSD-ja thonë se në mbajtje janë dërguar gjashtë aktivistë të kësaj partie. Ku mbetën dy aktivistë të PSD-së?

Dardan Molliqaj, Natyra Kuçi, Teutë Rrusta, Frashër Krasniqi, Nol Nushi e Genc Sherifi janë dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi u arrestuan në aksionin që e zhvilluan të hënën në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Policia arrestoi trembëdhjetë aktivistë të Partisë Socialdemokrate, por i dërgoi në mbajtje vetëm gjashtë prej tyre.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, u tha se në mbajtje janë dërguar vetëm katër persona, ndaj të cilëve rëndon vepra penale “Pengim i personit zyrtar”.

“Rr. Bekim Fehmiu, Prishtinë,14.02.2022-11:20. Janë arrestuar 13 të dyshuar, 11 meshkuj dhe 2 femra kosovarë pasi që të njëjtit kanë hyrë në objektin e ZRRE-së dhe kanë penguar punën e punonjësve. Gjatë arrestimit të dyshuarit kanë rezistuar me ç’rast katër zyrtar policor kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit pas intervistimit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar Fletëparaqitje për kundërvajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Por, nga Partia Socialdemokrate kanë deklaruar për Express se nuk janë katër, por gjashtë aktivistë të partisë të cilët janë dërguar në mbajtje.

Zgjim Hyseni, nënkryetar i PSD-së, ka deklaruar për Express se policia ka dezinformuar kur ka njoftuar për dërgimin në mbajtje të vetëm katër aktivistëve.

“Policia e Kosovës po e vazhdon propagandën që ka për qëllim kriminalizimin e protestës dhe arrestimin e dhunshëm të aktivistëve. Policia ka dezinformuar dhe ka gënjyer. Ka dezinformuar kur ka thënë se janë në mbajtje 4 aktivistë. Aktivistët e arrestuar janë 6, emrat e tyre janë: Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Natyra Kuçi, Genc Sherifi, Frashër Krasniqi”, ka deklaruar Hyseni.

Në raportin e policisë u tha se për shkak të rezistencës së të dyshuarve, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.

Për këtë, Hyseni i PSD-së deklaron se ata që janë lënduar janë protestuesit. Sipas tij, ata janë shkelur me këmbë nga policët.

“Gënjeshtra ndërkaq është e kulluar lidhur me rrjedhën e protestës. Ata thonë se janë lënduar 4 policë, por në fakt pamjet tregojnë se janë protestuesit që të shtrirë janë shkelur me këmbë. Evidenca mjekësore dëshmon po ashtu se ndihmë mjekësore kanë kërkuar Dardan Molliqaj dhe Gent Brahimi”, ka deklaruar Hyseni.

Ndërkaq nga policia kanë deklaruar për Express se dy nga të arrestuarit e djeshëm, në fakt janë dërguar në mbajtje për protestën e mbajtur më 29 janar, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas policisë, Nol Nushi e Genc Sherifi kanë qenë në kërkim policor, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Në mbajtje janë dërguar 6 persona, dy prej tyre N.N dhe G.Sh janë dërguar në mbajtje për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar” që ka ndodhur më 29.01.2022, ndërsa për rastin e djeshëm “Pengim i personit zyrtar” janë dërguar në mbajtje 4 persona”, thuhet në përgjigjen e policisë për Express.

Për protestën e 29 janarit, policia pati arrestuar dhunshëm kreun e PSD-së, Dardan Molliqajn, në oborrin e T7, pak para se të hynte në emisionin “Pressing”, ku ishte i ftuar si mysafir.

Molliqaj u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndërkaq pas lirimit deklaroi në “Pressing” se ai u arrestua vetëm se është kundërshtar politik i Qeverisë.

“Për herë të parë një opozitar, një aktivit politik merret peng. Policia është politike në këtë rast sepse ka arrestuar pa urdhër-arrest. Këto janë shkelje të mëdha. Paramendo në këtë vit Kosova me një qeveri që ka mbështetje popullore arreston kundërshtarët e vetë politikë vetëm me urdhër politik. Dhe s’po e them unë, prokurorja e ka thënë”, deklaroi Molliqaj.

Pas pak ditës, PSD-ja publikoi edhe aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për arrestimin e Molliqajt.

Gjykata e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktim të masës së paraburgimit ndaj Molliqajt.

“Nga analizimi i dispozitave ligjore të lartcekura me anë të të cilave është përcaktuar se si duhet të dorëzohet një ftesë të pandehurit, kjo gjykatë konstaton se në rastin konkret organet përkatëse asnjëherë nuk ia kanë dorëzuar të pandehurit personalisht ftesën, por vetëm ja kanë lënë në selinë e partisë”, thuhet në aktvendimin e Gjtkatës.