Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit dhe kandidat për deputet nga VV-ja me numër 24, Hysen Durmishi, ka deklaruar se projekti i shumëpritur i rrugës Prizren–Tetovë po shndërrohet në realitet, pavarësisht dyshimeve dhe skepticizmit që kishin shoqëruar këtë iniciativë në fillimet e saj.

Përmes një postimi, Durmishi ka rikujtuar se kur ishte marrë zotimi për ndërtimin e kësaj rruge, kishte shumë zëra skeptikë, por sot puna në terren po dëshmon të kundërtën.

“Kur u zotuam se do ta bëjmë rrugën Prizren–Tetovë, kishte shumë skeptikë. Mirëpo sot ajo po bëhet realitet dhe unë ju ftoj t’i shijoni pamjet,” ka shkruar Durmishi.

Ai ka theksuar rëndësinë strategjike të këtij projekti për zhvillimin ekonomik, lidhjen rajonale dhe lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar rrugën si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të këtij mandati.

Durmishi ka ftuar qytetarët që të ndjekin nga afër progresin e punimeve dhe të shohin transformimin që po i bëhet kësaj zone, duke nënvizuar përkushtimin e institucioneve për të çuar përpara projektet madhore infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.