Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, njëherësh kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje me numër 24, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se përveç investimeve në ndërtimin e rrugëve, institucionet kanë treguar kujdes të veçantë edhe për rregullimin e shtratit të lumenjve në shumë zona të Kosovës.
Durmishi ka njoftuar se së fundmi ka nisur rregullimi i shtratit të lumit në fshatin Ballaboq të komunës së Deçanit, duke theksuar se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një angazhimi më të gjerë institucional.
Sipas tij, rregullime të ngjashme janë realizuar edhe në disa komuna të tjera të vendit, përfshirë Gjilanin (Zhegër, Përlepnicë, Kmetoc, Livoq i Ulët dhe i Epërm), Vushtrrinë (Sitnicë, Gurishtë), Skenderajn (Vërbicë, Runik–Aqarevë, Llaushë), Kaçanikun (Nerodime), Lipjanin (Janjevë, Godanc, Sitnicë), Leposaviqin (Ibër), Prizrenin (Toplluha–Velezhe), si dhe komunat Kamenicë, Viti dhe Novobërdë, në zonën e Moravës së Binçës dhe Përlepnicës.
Durmishi ka theksuar se këto projekte janë të rëndësishme për parandalimin e vërshimeve, mbrojtjen e pronës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët lokalë, duke nënvizuar se investimet në infrastrukturë nuk kufizohen vetëm në rrugë, por përfshijnë edhe menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave.
Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, do të vazhdojë me projekte të tilla zhvillimore edhe në të ardhmen, në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.







