Banimi i përballueshëm social tashmë po realizohet në katër komuna të vendit, ndërsa tetë komuna të tjera janë në fazë vlerësimi. Lajmin e ka bërë të ditur Hysen Durmishi, ministër në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe kandidat për deputet me numër 24 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Durmishit, së shpejti do të hapet një thirrje e re për komunat që ende nuk kanë aplikuar për këtë program, me qëllim zgjerimin e përfshirjes dhe rritjen e qasjes në banim të përballueshëm.

Ai theksoi se prioritet në këtë program kanë çiftet e reja, të punësuarit me paga të ulëta dhe të mesme, si dhe kategoritë sociale, duke synuar barazinë sociale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.

Programi i banimit të përballueshëm social konsiderohet si një nga iniciativat kryesore për adresimin e nevojave për strehim dhe për krijimin e një jete më dinjitoze për të gjithë.