Durim edhe pak me vapën e madhe, nesër ndryshojnë temperaturat

Një front i dobët, i ftohtë ajror depërton të dielën në Kosovë ku lokalisht do të ketë rrebeshe kalimtare shiu me vetëtima dhe bubullimë. Në disa lokacione mund të ketë rrebeshe intensive por kaluese. Fronti do të jetë shkaktar për uljen e temperaturave, edhe pse mbetet ende nxehtë.

E hëna sjellë sërish rritje të temperaturave duke arritur kulminacionin të martën e cila pritet të jetë dita më i nxehtë deri më tani gjatë këtij viti.

Pra, ka ndodhur një ndryshim në ecuritë sinoptike, ngase fronti i mesit të javës vjen të mërkurën në vend të ditës së enjte që ishte paraparë.

Fronti i mesjavës do të na sjellë freskinë e shumëpritur sidomos në Kosovë, por edhe në rajon më gjerë.

Para frontit do të fryjnë erëra të fuqishme dhe shumë të nxehta nga jugu dhe jugperëndimi, ndërsa me depërtimin e frontit të mërkurën në mesdite ose pasdite erërat do të ndryshojnë drejtim dh do të fillojnë të fryjnë të fuqishme nga veriperëndimi dhe veriu. Gjatë kalimit të frontit mund të ketë erëra të fuqishme dhe pastaj pritet që erërat gradualisht të dobësohen. Temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme sidomos të enjten nën vlerat 30 gradë Celsius ato maksimale.

Fronti do të ndikojë edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore me ulje të temperaturave, por ndikimi i tij do të jetë më i vogël në Shqipërinë mesdhetare.

Ky front do të ndërprejë përfundimisht valën mjaft të fuqishme të nxehtësisë verore që ka përfshirë Kosovën dhe rajonin, por nuk do të ndërprejë në tërë Shqipërinë./METEOBALLKAN