Dumoshi takohet me xhudistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka, përzgjedhësin e Kosovës në xhudo Driton Kuka si dhe xhudistët që kanë fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Dumoshi fillimisht ka uruar Distria Krasniqi për medaljen e artë dhe Nora Gjakovën për medaljen e bronztë në Grand Slam-in e xhudos që u mbajtën më 8 e 9 shkurt në Paris të Francës.

Po ashtu ajo u shpreh e lumtur për punën dhe suksesin që po e tregojnë xhudistët në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Vajzat dhe djemtë tanë po na bëjnë krenarë me punën luftarake të tyre, në lojërat të ndryshme ndërkombëtare dhe ky suksese nuk do të ishte po të mos kishin mbështetjen dhe përkushtimin tuaj si tuaj si trajner”, tha ministrja Dumoshi, duke theksuar faktin se me sukseset e arritura, xhudistët e Kosovës po i bëjnë nder vendit dhe po e promovojnë e forcojnë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq Kuka falënderoi ministren për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës. Ai kërkoi nga ministrja Dumoshi që edhe në të ardhmen të vazhdojë bashkëpunimi i MKRS-së me Federatën e Xhudos ashtu që bashkërisht të arrihen sukseset e synuara.

Ministrja e drejtuesit e xhudos diskutuan edhe për çështjen e Qendrës Kombëtare të Xhudos e cila së shpejti do të fillojë së ndërtuar në qytetin e Pejës dhe ku ministria do të japë kontributin e saj në këtë drejtim, transmeton Klan Kosova.