Dukagjin Pupovci emërohet zv/ministër i Arsimit

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci është emëruar sot zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Pupovci përmes llogarisë së tij në Facebook.

Postimi i plotë:

Prej sot po e filloj një rrugëtim të ri në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Falenderoj Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministren Arbërie Nagavci për besimin dhe zotohem se do të punoj me gjithë energjinë për përmirësimin e gjendjes në sektorin e arsimit dhe kërkimit. Jam i vetëdijshëm për të gjitha sfidat e këtij rrugëtimi dhe mirëpres çdo ide dhe ndihmë për adresimin e problemeve komplekse në këtë fushë.

Pas 21 vjet në krye të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv, ndërsa Bordi e ka emëruar për ushtrues detyre kolegun tim, Petrit Tahiri, të cilit i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese në drejtimin e organizatës. I falenderoj të gjithë kolegët dhe anëtarët e Bordit për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në rritjen e organizatës.

Po ashtu, ju falenderoj të gjithëve për urimet dhe fjalët inkurajuese!