Armand Duka

Duka: Do ta kalojmë grupin, nuk e di kush kualifikohet nga ato të treja

Në Hamburg të Gjermanisë, Shqipëria ka mësuar sot kundërshtarët në Euro2024. Goglat nuk u treguan aspak bujare me kuqezinjt. Përballë ekipit të Silvinjos do të jenë Spanja, Kroacia dhe Italia.

Një grup tejet i vështirë, ku Shqipëria duhet të tregojë forcën e saj dhe të mundohet të jetë surpriza e madhe e këtij Europiani. Armand Duka ka dhënë përshtypjet e tij të para për shortin e Euro 2024 për mikrofonin e “SuperSport”-it, ku është shprehur optimist se beson në kualifikimin e Shqipërisë më tej.

“Nuk besoj se ka grup të lehtë dhe ekipe të dobëta, ndaj edhe quhet turne final Europian. Këtu vijnë skuadrat më të mira, ndaj nuk mund të nisesh nga shorti, por të jesh gati për të bërë më të mirën. Unë dua të falënderoj futbollistët, stafin, trajnerin Sylvinho dhe tifozët, që e sollën Shqipërinë në Europian. Ta shijojmë këtë sukses dhe të përgatitemi për finalet e Europianit, ku do të provojmë të bëjmë më të mirën. I fortë bëhesh duke fituar me të fortët, ndaj ne këtë do ta provojmë në Europian.

Nuk kam kërkuar Serbinë, por nga vazoja e katërt mendoja se ata ishin një skuadër më e përshtatshme se Italia dhe Zvicra. E hapim Europianin me Italinë, ku shpresojmë të kemi djemtë në formë të mirë dhe të bëjmë më të mirën. Uroj dhe vazhdojmë të besojmë që do të kalojmë grupin. Nuk e di kush nuk do të kualifikohet nga ato të treja.

Spalletti dhe Daliç deklaruan se është grup shumë i vështirë? Përderisa e thonë ata, do të thotë që llogarisin edhe Shqipërinë si kundërshtar të fortë. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të bëjmë më të mirën. Janë të gjitha ndeshje për t’u luajtur dhe për t’u shijuar. Unë kam shumë besim që do të ketë mbështetje të madhe për Shqipërinë, por nuk do të jenë më të paktë edhe italianët. Unë uroj që Italia ta nisë ndeshjen lehtë”, ka deklaruar Armand Duka./