Para Gjykatës së Lartë në Podgoricë, mes të enjtes dhe të premtes, është mbajtur seanca përfundimtare për rastin “Grusht shteti” në të cilin akuzohet duka çetnik, lideri prorus dhe kryetar i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq.
Ky është një rast që lidhet me një përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë në prag të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, shkruan Ballkani.info.
Në këtë rast akuzohen dy shtetas rusë, njëzet serbë dhe tre malazezë, mes të cilëve liderët e Frontit Demokratik pro-rus – Andrija Mandiq dhe Milan Knezheviq. Të gjithë ata akuzohen se kanë planifikuar sulm ndaj institucioneve dhe kryeministrit të atëhershëm Milo Gjukanoviq, në ditën e zgjedhjeve më 16 tetor 2016.
Këta persona akuzohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit, tentativë për terrorizëm dhe krijimi i organizatës kriminale.
Thuhet se në ditën e zgjedhjeve parlamentare në tetor të vitit të kaluar, ata kishin planifikuar marrjen e pushtetit me dhunë, sulmin ndaj Kuvendit dhe vrasjen e kryeministrit të atëhershëm malazez Milo Gjukanoviq.
Aktgjykimi i shkallës së parë u miratua në maj 2019. Të pandehurit janë dënuar gjithsej me rreth 70 vite burg dhe mbrëmë ka përfunduar procedura e përsëritur dhe është shpallur dënimi për 12 korrik.
Andrija Mandiq(58), teknolog metalurgjik, atë emërtim apo titull e ka marrë në vitin 2007 me testament nga Milo Rakoçeviq, veteran “anonim” çetnik, emigrant në Francë, shkruan për këtë Antena M.
Në grupin me Mandiqin, me të njëjtin testament u bënë çetnik-vojvodë 14 persona të tjerë, katër prej tyre nga Mali i Zi: taksisti Mileta Paviqeviq (Podgoricë); njëfarë “poeti kolashin” Vuko Vllahoviq; Milan Dobrashinoviq, “djali i Svetozarit, deputet i Pavel Gjurishiqit”; asokohe ndihmësministër për diasporë në Qeverinë e Serbisë, Miodrag Bozhoviq. Të gjithë titullohen: “Duka çetnik të trojeve serbe”. /Ballkani.info/







