“Duhet të vetëdijesohemi se çka po ndodh në vend”, fjalë të mëdha nga frizeri i Kurtit e Haxhiut që iu punësua gruaja

Armend Gashi është frizer i kryeministrit Kurti dhe Ministres Haxhiu, për të cilët dihet publikisht se marrin shërbime estetike në lokalin e Gashit, i cili kur ishte aderuar në Vetëvendosje, para tri viteve, kishte ardhur me fjalë të mëdha. Në një emision televiziv ai nuk kishte hezituar t’i jepte arsyet për aderimin në VV.

Gashi thoshte se një ndër arsyet pse e ka marrë këtë vendim është se dëshiron të dijë më shumë se çka ndodh në vend.

 “Duhet të vetëdijesohemi se çka po ndodh në vend, kjo është një ndër arsyet që m’ka shty me marrë këtë hap”, kishte thënë ai në Debat Plus.

Tutje, ai ishte shprehur se populli ka nevojë për një ndryshim dhe nuk do të jetë në listën për deputet.

Madje, Gashit nuk i kanë munguar edhe fotografitë me kryeministrin Kurti.

Derisa, Armend Gashi është frizeri i njohur që përkujdeset tash e një kohë për dukjen e kryeministrit, Albin Kurti, dhe Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, i cili u shpërblye duke iu punësuar gruaja e tij Brikena Kelmendi Gashi.

Brikena Kelmendi – Gashi, bashkëshortja e frizerit Armend Gashi, i cili ka në pronësi sallonin “Vouge Hair”, ku e rregullon vazhdimisht “frizurën” ministrja Albulena Haxhiu, tashmë është punësuar në një pozitë të lartë në Ministrinë e Drejtësisë.

Kelmendi-Gashi nga gjysma e janarit po punon në Divizionin për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale. Një nga divizionet më të rëndësishme në MD.

Fotografitë e postuara në rrjete sociale, ku shihet ministrja Albulena Haxhiu me “frizurën” e re, nxitën shumë reagime publike. Por, ato po rezultojnë të mos jenë thjesht “klientelizëm i rëndomtë”.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e nënshkruar nga ministrja Albulena Haxhiu për emërimin e bashkëshortes së frizerit Armend Gashi në një pozitë në Ministrinë e Drejtësisë.

Në vendimin e Haxhiut të protokolluar më 16 janar 2023, ku pak më poshtë te e njëjta datë figuron viti 2022, thuhet se Brikena Kelmendi – Gashi do të nisë punën në Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.