Dugolli: Para transferit në Dubravë na torturuan në Nish, plakut 73 vjeçar ia thyen këmbën

Në Pressing të T7, të hënën katër të mbijetuar të masakrës së Dubravës po rrëfejnë për tmerret e burgjeve nën okupimin serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Enver Dugolli, i mbijetuar në masakrën e Dubravës ka thënë se të burgosurit shqiptarë janë transferuar në disa burgje.

E në burgun e Nishit thotë se një plakut 73-vjeçar forcat serbe ia kishin thyer këmbën.

“Unë i pyta pse na keni transferuar. Dhe përgjigja ishte se kjo është bërë për shkaqe sigurie. Ky ishte arsyetimi i atij vendimi dhe çfarë ndodh një vit më vonë ku s’kishte siguri fare, siguria ishte në minimum edhe për shkak të eskalimit të luftës. Edhe bombardimet e NATO’s kishte filluar, masakrat serbe në Kosovë dhe kështu nuk kishte siguri fare”, ka rrëfyer Dugolli.

Ai ka treguar për torturat çnjerëzore që janë kryer mbi të burgosurit politikë.

“Mendja e njeriut nuk e kupton çfarë tortura ka pasur, saqë një mikut tonë Nezir Zogaj ia thyen këmbën me shkopinj të hekurit, druri dhe përdornin gjithçka”, tregoi Dugolli në rrëfimin e atij. /Gazeta Express