Dugolli i LVV-së: Drenica e Adem Jasharit e mirëpriti liderin më të dashur Albin Kurtin

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se lideri i partisë së tij është mirëpritur në Drenicë, pasi sipas tij, ata që i mirëpritën ishin dhjetëfish më shumë se sa ata që manifestonin një lloj kundërshtimi të dirigjuar.

Vizita e sotme në Skenderaj e kreut të LVV-së, Albin Kurti, ka shkaktuar reagime dhe është përcjellur me kundërshtimin e disa qytetarëve të cilët e kanë pritur me thirrjet “UÇK, Hashim Thaçi”.

Gjatë kësaj vizitës së Kurtit në Skenderaj është vërejtur edhe prania e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës.

Por, kandidati për deputet nga kjo anë, Enver Dugolli, ka thënë se “Drenica e Adem Jasharit e mirëpriti liderin më të dashur dhe më të votuar, Kryeministrin Albin Kurtin”.

“Një mikpritje dhe entuziazëm të tillë nuk e kisha parë më parë në Skënderaj. Kudo që shkuam, na priten me zemër të hapur e me plot shpresë për të ardhmen e tyre pas 14 shkurtit”, ka shkruar Dugolli, në një postim në Facebook.

“Takuam aq shumë njerëz të mirë e bujarë, të cilët veçse kanë ndarë mendjen për ndryshim. Klasa e vjetër politike, e tmerruar nga kjo përkrahje e madhe e qytetarëve të Drenicës, provoi të zbehë këtë mbështetje duke organizuar disa individë të cilët provuan të pengonin aktivitetet tona”.

“Fatbardhësisht nuk ia arritën, sepse ata që na mirëpritën ishin dhjetëfish më shumë se sa ata që manifestonin një lloj kundërshtimi të dirigjuar”, ka shkruar ai.