Duda Balje tregon a po largohet nga LVV-ja

Pavarësisht pakënaqësive që i ka shprehur me Lëvizjen Vetëvendosje, deputetja Duda Balje ka thënë se nuk e ka ndërmend të largohet nga koalicioni qeverisës me partinë e Albin Kurtit.

Teksa komentoi takimin që e zhvilloi të martën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ligjvënësja e pushtetit tha se biseda me zyrtarët e këtij subjekti politik ka qenë vetëm “informative”.

Në një prononcim për Paparacin, Balje theksoi se kësi lloj takimi do ta zhvillojë edhe me partitë e tjera, duke filluar nga PDK-ja e AAK-ja.

Megjithatë, u shpreh se ndonëse i ka theksuar vazhdimisht ankesat e saj lidhur me (mos)veprimet e pushtetit të LVV-së, ajo vazhdon të qëndrojë në koalicion me ta.

“Biseda me z. Abdixhikun ishte informative. Temë kryesore ka qenë situata politike në vend. Kësi lloj takimesh do të zhvillojë edhe me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, vijoi Balje për mediumin.

Kryetarja e Unionit Socialdemokrat listoi edhe ngjarjet të cilat kanë nxitur pakënaqësi te ajo, si pasojë e bindjeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Çështja e tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional, bartja e shamisë në shkolla dhe projekt-kodi civil, sipas saj janë disa prej pikave ku nuk gjejnë pajtim partia e saj dhe Vetëvendosja.

Sidoqoftë, thotë se as këto nuk janë arsyeje që ajo të largohet nga pushteti.

“Ju e dini pakënaqësitë e mia që i kam shprehur vazhdimisht. Trusti, projekt-kodi civil e çështja e bartjes së shamisë janë disa prej gjërave që s’jemi pajtuar. Por, unë nuk po shkoj as në LDK as kurrkund. S’do të dal nga koalicioni me LVV-në”, pohoi kryetarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Unioni Social-Demokrat (SDU) e Duda Baljes lidhen marrëveshje koalicioni pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, 2021.

Por, ata nuk kanë rezultuar partnerë aq të mirë për njëri-tjetrin në më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, të kryesuar nga Lëvizja Vëtëvendosje, me Albin Kurtin kryeministër.

Në anën tjetër, tash e një kohë është folur për problemet që janë shfaqur brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përveç deputetes së Doarsa Kica-Xhelilit e cila nga GP i LVV-së aderoi në LDK, edhe Eman Rrahmani nuk e mohoi mundësinë e largimit nga Vetëvendosja.

Të hënën mbrëma ai tregoi se nëse pas përfundimit të mandatit e sheh veten si të padobishëm, atëherë “do të largohet nga Kuvendi i Kosovës”.

“Kur e shoh që angazhimi im 4-vjeçar s’ka pasur dobi, nuk ka asnjë kuptim dhe arsyeje me vazhdu edhe për katër vite tjera. Kur e vlerësoj që kam qenë i padobishëm për katër vite në Kuvendin e Kosovës, qëndrimi im do të jetë detyrimisht që mos të vazhdojë të jem pjesë e Kuvendit se i shkaktoj dëm vendit”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.

Gjithashtu, Rrahmani foli edhe për “2-3 servilë” të LVV-së që po sillen në Kuvend e Qeveri dhe të njëjtit po flasin për largimet e mundshme të funksionarëve të LVV-së.

Ndonëse nuk përmendi emra, ai theksoi se puna primare e deputetëve është mbikëqyrja e punëve të qeverisë dhe për secilin aktivitet që vjen në Kuvend prej ekzekutivit.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë brenda grupit të vet parlamentar dhe është në bashkëqeverisje me disa deputetë të komunitetit jo-shumicë në Kuvendin e Kosovës