Dubai, aty ku edhe luksi evoluon (FOTO)

Pas një gjenerate të re superjahtesh qëndron një ide intriguese, gjithnjë nëse duhet t’iu besojmë profesionistëve të kësaj industrie. Ajo që blerësit e këtij objekti luksi, të cilët e kanë për herë të parë një eksperiencë të tillë, nuk tërhiqen më aq shumë nga ana materiale.

“Pronarëve të rinj sot iu intereson më tepër përvoja që do të fitojnë, sesa objekti në vetvete”, i tha CNN-it, Rainer Behne, president i firmës konsultuese “BehneMar Yachting”.

“Ky nuk është një brez që kërkon vetëm të blejë, është një brez që synon të eksplorojë botën atje jashtë, e të shohë se çfarë mund të gjejë”, shton ai.

E me këtë në mendje, prodhuesit e anijeve luksoze kanë krijuar “superjahtin eksplorues”, me motor më rezistent, panele diellore për energji shtesë dhe një trup hibrid të mjetit lundrues, që i reziston çdo lloj stuhie.

Rritja e kërkesës për anijet luksoze të distancave të gjata dhe më të qëndrueshme po e shtyn këtë industri drejt “ujërave të reja”.

“Njerëzit po i hedhin sytë nga anijet për të imituar atë që shohin në vende të tjera – thotë Behne, – dhe duan inovacion, teknologji, qëndrueshmëri, si dhe të gjitha llojet e materialeve të reja”.

Në “Dubai International Boat Show” të vitit 2019, ngjarja më e madhe e këtij lloji në gjirin Persik, ishte rasti ideal për të shpalosur risitë. Mbi 400 anije u prezantuan aty, e ajo që ra më shumë në sy ishte padyshim superjahti “Esquel” i kompanisë holandeze “Oceanco”.