Dua Lipa sulmohet në rrjetet sociale: “Shfrytëzon kafshët për t’u zbavitur”

Nuk është e zakonshme për Dua Lipën që të komentojë në rrjetet sociale, mbi të gjitha duke u kthyer përgjigje ‘haters-ave’ që ndonjëherë e sulmojnë.

Mirëpo këtë herë, këngëtarja me origjinë kosovare ka bërë një përjashtim, për të mbyllur gojët e liga. Ajo është “sulmuar” në një nga postet e saj, ku ka publikuar foto teksa i gëzohet një xhiroje në slitë, e cila tërhiqet nga qentë husky. Ajo që dukej se ishte një ekskursion i qetë në borë është transformuar në një motiv debati mediatik rreth keqtrajtimit të kafshëve.

Poshtë postit të publikuar nga këngëtarja në profilin e saj në Instagram, një vajzë komenton “Është viti 2019 dhe akoma njerëzit më të pasur të kësaj bote vazhdojnë të shfrytëzojnë qentë dhe i përdorin për t’u zbavitur, kur kanë shumë alternativa se si të argëtohen. Nuk është aspak mirë që të tregosh “dashuri” kundrejt disa kafshëve, pasi të kesh abuzuar me disa të tjera, kjo sjellje duhet të ndryshojë”.

Dua Lipa akuzohet se ka shfrytëzuar qentë e slitës për argëtimin e saj. Një akuzë që mesa duket nuk e ka përtypur dhe ndaj nuk ka hezituar të përgjigjet, duke komentuar: “Këta qenë të racës husky janë në realitet të lindur për të vrapuar, e kanë këtë në gjak dhe është kjo që ata duan të bëjnë. Vrapojnë 7 herë në ditë në 20 -30 gradë, apo më pak ndërsa bëhet për ta më ngrohtë, në -5 gradë. Të gjithë këta qenë janë të trajtuar me dashuri dhe jetojnë në një komunitet bashkë me familjet e tyre dhe nuk janë nxitur asnjëherë të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë. Sigurisht që jo të gjithë qentë janë vrapues, është një veti që ata e tregojnë në moshë të re. Kjo kategori tjetër luan me familjen e sak ,duke shpenzuar energjitë në mënyra të tjera, por disa qenë janë lider dhe alfa e tufës dhe duan të vrapojnë e të vrapojnë. Ka një ndërgjegjësim të keq rreth qenve të slitës… Duhet të lexosh më shumë rreth kësaj”.

Pasi i është përgjigjur akuzave, Dua ka vijuar pushimet e saj në shoqërinë e të fejuarit Isaac Carew, mes shëtitjeve në dëborë, garave në motoslipë dhe vizitat në fermat e vendit, duke dokumentuar gjithçka në rrjetet sociale/ Shekulli.