Dua Lipa dhuroi performancë madhështore në Prishtinë, elektrizon skenën e “Sunny Hill Festival”

Mbrëmë (e enjte) është bërë hapja e “Sunny Hill Festival”, ku mijëra persona morën pjesë për të parë nga afër performancën e yllit shqiptar me famë botërore, Dua Lipa.

Artistja e famshme u ngjit në skenën e festivalit në mesnatën e mbrëmjes së kaluar për të performuar disa prej hiteve më të mëdha.

E veshur e tërë me ngjyrë rozë me shkëlqim, bluz, mini-fund dhe çizme me taka, Dua ishte e shoqëruar edhe nga valltarët e saj.

Krijuesja e hitit “Levitating” i dha të gjitha në performancë, duke bërë që publiku të këndonte e duartrokiste me secilën këngë të saj.

Ndërkohë, para se të bënte hapjen e natës së parë të festivalit, 26-vjeçarja mbajti edhe një konferencë për media.
Dua u shpreh se ndihej e lumtur dhe krenare që është rikthyer në shtëpinë e saj teksa tha se nuk ka ndjesi më të mirë se të performonte në Prishtinë.

“Dua vetëm të falënderoj të gjithë për ndihmën, energjinë dhe dashurinë që na jepni në këto ditë dhe mbështetjen për fondacionin që e kam shumë për zemër, ndjehem krenare që jam këtu, vëmendjen e kam patur vetëm të performanca, shpresoj që do të iu pëlqej e të kënaqemi, po ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim”, u shpreh Dua.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë konferencës ia dhuroi yllit të muzikës “Hyjneshën në fron”.

Ndërkohë, kujtojmë që “Sunny Hill Festival” do të vazhdoj deri të dielën më 7 gusht, ylli latin J Balvin sonte do të jetë ai që ngjitet në skenë mes emrave të tjera me famë botërore në vazhdim si Diplo dhe Skepta.