Drita mposht Inter d’Escaldes, vazhdon rrugëtimin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve

Kampionia e Kosovës, Drita, e nisi rrugëtimin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me fitore, pasi që arriti ta mposhtë me rezultat 2:1 klubin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, falë golave të shënuara nga Xhevdet Shabani dhe Hamdi Namanit.

Vetëm pak kohë pasi e festoi titullin e Superligës së Kosovës, Drita e nisi një tjetër sfidë, edhe më të vështirë – atë në Evropë me gjysmëfinalen e rundit preliminar të Ligës së Kampionëve.

Ky rund e përballi Dritën me klubin modest nga Andorra, Inter d’Escaldes, të cilin skuadra e Ardian Nuhiut e dominoi me lojë dhe raste të mira gjatë 90 minutave, përkundër problemeve të sjella para ndeshjes.

Dritës i munguan dy lojtarë në këtë përballje, Fidan Gërbeshi dhe Bujar Shabani, pasi i pari rezultoi pozitiv me koronavirus, ndërsa tjetri u detyrua të vetëizolohet shkaku i kontaktit me Gërbeshin. Mungesa e dokumentacionit për Covid-19, gabim i organizatorëve, gjithashtu bëri që ndeshja të nisë një orë e gjysmë më vonë sesa që ishte planifikuar.

Por, përkundër kësaj, Drita u shfaq bindëse në fushën e lojës. Loja e bukur iu shpërblye me gol Dritës në minutën e 21-të të ndeshjes, kur Xhevdet Shabani e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes me një supergol të shënuar nga distanca.

Pas këtij goli, Drita e uli intensitetin e lojës dhe për këtë u ndëshkua vetëm tetë minuta më vonë, kur Emili Garcia e barazoi rezultatin në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin Colocray Sports Centre në Nyon të Zvicrës.

Por, djemtë e Nuhiut u nisën sërish me synimin për ta kthyer epërsinë dhe nuk u dorëzuan derisa e arritën këtë, vetëm pak momente para fundit të pjesës së parë, falë goditjes së Hamdi Namanit.

Drita nuk e bëri të njëjtin gabim si në pjesën e parë duke e ulur intensitetin e lojës dhe vazhdoi të tentojë ta gjejë edhe golin e qetësisë, të cilin në fund nuk e gjeti por arriti ta mbajë epërsinë e siguruar në pjesën e parë.

Tani, Dritën e pret finalja e këtij rundi preliminar të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me klubin irlandez, Linfield.