Drita e ‘shkatërron’ Ballkanin, fiton edhe Llapi

Drita dhe Llapi kanë arritur të sigurojnë fitore në shtëpi në xhiron e dhjetë të ndeshjeve të Superligës. Drita e ka mposhtur Ballkanin me rezultat 6-1, ndërsa Llapi e ka mposhtur Gjilanin me rezultat 3-1.

Ndeshja në stadiumin e qytetit të Gjilanit, mes Dritës dhe Ballkanit, përfundoi me rezultat 6-1. Klubit gjilanas i kishin mjaftuar 12 minuta lojë për të shënuar golin e parë, përmes Betim Haxhimusës. Pas tij, Ballkani kishte pasur disa raste të mirë përmes Blend Baftiut dhe Berat Hysenit, të cilat megjithatë nuk i shfrytëzuan. Nëntë minuta para se të përfundonte pjesa e parë e ndeshjes, Fidan Gërbeshi arriti ta thellojë rezultatin përmes golit të shënuar nga pika e penalltisë.

Pjesa e dytë e kësaj ndeshje nuk rezultoi të jetë më e mirë për Ballkanin, të cilët pranuan edhe katër gola të tjera në këtë pjesë. Fillonit Shaqiri dhe Endrit Krasniqi, si dhe autogoli i Liridon Kukajt, bën që rezultati të shkojë në 5-0. Mirëpo, katër minuta para se të përfundonte loja, Blend Baftiu arriti ta shënojë golin e vetëm të Ballkanit në këtë ndeshje, ndërsa vetëm disa minuta më vonë Drita kishte arritur ta shënojë edhe një tjetër gol përmes Haxhimusës.

Përveç pesë golave të pranuar, Ballkani e humbi edhe një lojtar për ndeshjet e ardhshme, pasi që Besnik Krasniqi u ndëshkua me karton të kuq. Ky rezultat e thellon krizën e Ballkanit të cilët nuk kanë arritur të sigurojë fitore në pesë ndeshjet e fundit dhe tani radhiten në pozitën e 11-të.

Ndërsa, Drita iu rikthye përsëri fitoreve, pas barazimit ndaj Trepçës dhe disfatës ndaj Gjilanit. Ata nuk lëvizin nga pozita ku ishin edhe para kësaj ndeshje, mbesin në pozitën e tetë. Mirëpo, duhet të mbahet mend se ndeshjet e tjera të kësaj xhiro nuk janë zhvilluar ende.

Në anën tjetër, rivali i qytetit të Dritës, Gjilani, nuk e pati të njëjtin fat si ata. Ata pësuan humbje si mysafir kundër Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Skuadra nga Podujeva kishte kaluar në epërsi që në minutën e gjashtë, përmes golit të shënuar nga Festim Alidema.

Në pjesën e parë të kësaj ndeshje kishte pasur mjaft shumë raste, dy të tilla i kishte edhe Mentor Zhdrella i Llapit, i cili megjithatë nuk arriti të tregohet i suksesshëm. Një gol i Llapit ishte anuluar për shkak të pozitës jashtë loje, ndërsa penalltinë e Ansi Nikës të Gjilanit e kishte mbrojtur portieri Afrim Ademi.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Llapi e kishte thelluar epërsinë përmes golave të shënuar nga Egzon Sinani dhe Edon Shaqiri. Në minutën e 74-të, ishte anuluar goli i Begollit të Llapit për shkak të pozitës jashtë loje, dhe vetëm dy minuta më vonë Gjilani e kishte ngushtuar epërsinë përmes golit të shënuar nga Endrin Magani.

Gjilani tani radhitet në pozitën e shtatë, me një pikë më shumë se rivalët e qytetit. Ndërsa, Llapi radhitet në pozitën e dytë, me katër pikë më pak se klubi në pozitën e parë, Feronikeli. Megjithatë, duhet të mbahet mend se Feronikeli ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e vlefshme për xhiron e dhjetë të Superligës së Kosovës.