Drilon Gashi pas lirimit nga detyra: Katër fëmijë i kam lënë pa bukë

Hoxhë Drilon Gashi i cili ishte këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca sot është liruar nga detyra.

Lirimin e tij nga detyra e ka konfirmuar shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.

“Po sot e kam liruar nga detyra”, ka thënë shkurt Kërçeli.

Ndërsa vetë, Drilon Gashi në një prononcim për Insajderin ka thënë se është i shqetësuar nga gjitha kjo që ka ndodhur.

Ai ka theksuar se deri të shkarkimi ka ardhur pas raportimeve që Gjykata Themelore në Pejë e kishte dënuar për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij. Gashi shtoi se rasti kishte ndodhur gjashtë vite më parë dhe se nuk është në dijeni pse u riaktualizua tash në këtë kohë.

“Po, është e vërtetë. Unë jam liru prej detyrës. Dyshoj që krejt kjo është ba një fushatë speciale kundër meje. Ishalla ata që ja kanë arrit një qëllimi të tillë, ishalla po gëzohen. Unë krejt atyne, edhe dushmanëve ju uroj me pasë jetë të lumtur në familje. Me kanë të kënaqun edhe në familjen e tyre, po unë ata që më kanë përjashtu prej pune me këtë lajmin që e kanë nxjerrë… Katër fëmijë i kam lënë pa bukë. Për momentin jam i prekur dhe i shqetësun. Po mundohem me reflektu edhe me vetën. Fajin kërkush nuk mundet me e arsyetu, secili le te mban përgjegjësinë e vet. Pse bash qitash, pyetja është pse bash qitash – një seancë e mbyllur përpara gjashtë vitesh, një problem familjar që e kam pasë me shoqen – pse bash qitash u hap edhe u çel bash qitash kur i kam dy padi që jam tu i shqyrtu, njërën kundër BIK-ut, tjetrën një padi për shpifje që ma ka bë Enes Goga. Qit muj dy herë e kam vizitu Gjykatën e Pejës. Kujna po i shërben me këtë lajm. Unë i kam rikuperu krejt problemet që më kanë ndodh me bashkëshorten. Kryetari i Kuvendit ka qenë në një udhëtim, i nxanë me punë të tij, unë kam kontaktu me shefin tem që është përgjegjës për neve këshilltarëve edhe i kem sqaru çështjet, sot jam liru prej detyrës çka me bë tash”, ka deklaruar ai.