Dreshaj: Reagimi pas 72 orëve është i vonshëm, Deçani u la pa shpresë e pa mbështetje

Deputeti i AAK’së, Shemsedin Dreshaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar qeverinë për reagim të vonshëm në rastin e helmimit të mbi 1 mijë e 500 qytetarëve të Deçanit.

Ai ka thënë se reagimi pas 72 orëve, është reagim i vonshëm për qytetarët e Deçanit.

“Fatkeqësisht lidhur me këtë temë kemi pasur disa iniciativa, por këto ishin të vonuara, dhe fatkeqësisht komuna u la pa shpresë e pa mbështetje. Pas 72 orëve, shumë vonë është një reagim i tillë. Bazuar në kapacitetet njerëzore, resurset humane për Deçanin kjo situatë jo vetëm që ishte shpërthim epidemik, por emergjencë shëndetësore”, ka thënë ai.

Dreshaj është shprehur se duhen të falënderohen strukturat lokale të Deçanit për menaxhimin e gjendjes, pasi sipas tij ajo u la që me forcat e saj të merret me situatën e krijuar.

“Kjo situata uroj të jetë mësim për strukturat vendimmarrëse që të konkretizohen rezultatet e menaxhimit të situatave të tilla. Deçani u la me forcat e veta. Për 72 orë nuk pati asnjë mbështetje, përveç një reagimi lokal, regjional. Komisioni Shtetëror për Menaxhimin e Emergjencave dhe të gjitha strukturat e saj, duhet të jetë në nivel të detyrës për reagim të menjëhershëm”, ka shtuar ai.