Dreshaj: 34 mantel bardhë kanë vdekur nga COVID-19, 60 për qind e stafit të QKUK’së është infektuar

Deputeti nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj, ka bërë të ditur se deri tani 34 punëtorë shëndetësorë kanë vdekur si pasojë e virusit COVID-19.

Ndërsa, ai ka thënë se 60 për qind e stafit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë infektuar me këtë virus, ndërsa mirë nuk qëndrojnë as qendrat tjera shëndetësore.

“34 mantel bardhë kanë humbur jetën nga virusi. 18 mjekë, 5 stomatolog e 10 infermierë, i fundit një anesteziolog. Vetëm në QKUK 60 për qind e stafit janë të infektuar me COVID-19. Edhe qendrat tjera shëndetësorë nuk qëndrojnë më mirë”, ka thënë ai.

Dreshaj e ka parë të rëndësishëm sigurimin e vaksinave për gjendjen me pandeminë COVID-19.

Ai ka thënë se pas datës 30 qershor do të filloj përdorimi i pasaportave të vaksinimit të shtetet tjera, andaj kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në shtetet tjera.

“Nga ajo datë do të filloj përdorimi i pasaportës për të udhëtuar dhe nuk do të kemi mundësinë që të shkojmë as te fqinjët tanë. Vaksina mbron, ul rastet e vdekjeve, ul koston e trajtimit”, ka theksuar ai.