Drejtorit të Auditimit në SHSKUK i digjet vetura për herë të dytë

Një veturë është djegur brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, duke shkaktuar edhe shtëllunga tymi të mëdha.

Burimet bëjnë me dije se vetura e djegur është e zyrtarit të auditimit të QKUK’së, Musa Vitija.

Ky është rasti i dytë që atij i digjet vetura.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit.

Rastin e ka konfirmuar edhe SHSKUK.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se sot derisa po mbahej mbledhja e Bordit Drejtues të ShSKUK-së dhe ishte duke raportuar drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, vetura e tij  private është djegur në parkingun e drejtorisë së përgjithshme të ShSKUK-së. ShSKUK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe Zjarrfikësit të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bordi Drejtues dhe drejtoria e ShSKUK-së shprehen të shqetësuar me këtë rast, meqë djegia e veturës së të njëjtit zyrtar ka ndodhur edhe para disa javësh dhe kërkojnë nga organet kompetente të hetojnë rastin në detaje”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.